1 Corinthians 2
1 Edhe unë, o vëllezër, kur erdha te ju për t'ju shpallur shestimin e fshehtë të Perëndisë, nuk erdha me fjalë të mëdha apo me urti të madhe.
2 Sepse e gjykova të drejtë që të mos ju mësoja asgjë tjetër, përveç Jezu Krishtit dhe madje, Jezu Krishtit të kryqëzuar.
3 Prandaj erdha te ju me dobësi, me frikë dhe me tmerr.
4 Fjalët e mia dhe predikimi im nuk u mbështetën në fjalë bindëse plot urti, por në dëftimin e Shpirtit dhe të fuqisë së Perëndisë,
5 që besimi juaj të mos mbështetet në urtinë njerëzore, por në fuqinë e Perëndisë.
6 Megjithatë ne u flasim për urti atyre që janë të pjekur shpirtërisht, por jo për urtinë e kësaj epoke e as për urtinë e prijësve të kësaj bote që shkojnë drejt shkatërrimit.
7 Ne flasim për urtinë e shestimit të Perëndisë, të fshehur për njerëzit, por që ai e kishte paracaktuar përpara kësaj jete, që ne të marrim pjesë në lavdinë e tij.
8 Asnjë nga prijësit e kësaj bote nuk e ka njohur këtë urti, sepse po ta njihnin, nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë.
9 Por, siç është shkruar: ato gjëra që syri nuk i pa e veshi nuk i dëgjoi dhe që nuk hynë në zemrën e njeriut, Perëndia i ka përgatitur për ata që e duan.
10 Ndërsa neve Perëndia na i zbuloi nëpërmjet Shpirtit, sepse Shpirti shqyrton gjithçka, madje edhe vetë thellësitë e Perëndisë.
11 Kush i njeh të fshehtat e njeriut, përveç shpirtit të tij? Po kështu edhe të fshehtat e Perëndisë nuk i njeh askush, përveç Shpirtit të Perëndisë.
12 Ne nuk kemi marrë shpirtin e kësaj bote, por Shpirtin që vjen nga Perëndia, që të njohim ato që na janë dhuruar prej tij.
13 Këto që themi, nuk i kemi nga fjalë të mësuara me urti njerëzore, por nga fjalë të mësuara prej Shpirtit, duke ua shtjelluar gjërat shpirtërore atyre që kanë marrë Shpirtin e shenjtë.
14 Njeriu që nuk e ka marrë Shpirtin e shenjtë, nuk i pranon të vërtetat e Shpirtit të Perëndisë. I duken marrëzi e nuk mund t'i kuptojë, sepse ato duhet të gjykohen në mënyrë shpirtërore.
15 Ndërsa njeriu që e ka marrë Shpirtin e shenjtë, kupton gjithçka e askush nuk mund ta kuptojë gjykimin e tij,
16 sepse, kush i njohu mendimet e Zotit, që t'i japë mend atij? Por ne kemi mendjen e Krishtit.